Procedura e përmbarimit fillohet me propozimin e kreditorit, Procedura e përmbarimit fillohet nga Gjykata sipas detyrës zyrtare kur me ligj parashihet një gjë e tillë. Përmbarimin e cakton dhe zbaton organi përmbarues. Në procedurën e përmbarimit organi përmbarues ka për detyrë, të veprojë me ngutshmëri, dhe të veprojë shpejt, në rastet që kanë të bëjnë me:
- Punësimin;
- Çështjet familjare;
- Alimentacionin apo pagesat për fëmijë;
Propozimi për përmbarim, duhet ta përmbajë kërkesën për përmbarim në të cilën do të tregohet:
- Dokumenti përmbarimor origjinal apo kopje e vërtetuar, apo dokumenti i besueshëm në bazë të cilit kërkohet përmbarimi;
- Kërkuesi i përmbarimit dhe debitori;
- Adresa e vendbanimit – vendqëndrimit apo selisë afariste të kreditorit dhe të debitorit;
- Kredia që kërkohet të realizohet;
- Mjeti nëpërmjet cilit duhet kryer përmbarimi;
- Objekti i përmbarimit po qe se është i njohur, si dhe të dhënat e tjera që janë të nevojshme për zbatimin e përmbarimit.
Mjete të përmbarimit janë veprimet përmbarimore ose sistemi i veprimeve të tilla, me të cilat sipas ligjit kërkesa realizohet me detyrim. Objektet e përmbarimit janë pasuria dhe të drejtat tjera që mund t’i nënshtrohen përmbarimit. Gjykata me aktvendim, ose përmbaruesi privat me urdhër për përmbarim, e cakton përmbarimin ndaj atyre mjeteve dhe në ato objekte të përmbarimit që janë specifikuar në propozimin për përmbarimin.
Dokumente përmbaruese janë:
- Atgjykimi dhe aktvendimi;
- Vendimi përmbarues i Gjykatës dhe ujdia (pajtimi) gjyqësore përmbaruese;
- Vendimi përmbarues i dhënë në procedurë administrative dhe aktpajtimi (më tej: ujdia);
- Dokumenti noterial i përmbarueshëm në pajtim me ligjin për noterinë;
- Marrëveshja e lidhur në procedurën e ndërmjetësimit ne pajtim me Ligjin mbi ndërmjetësimin pas aprovimit të Gjykatës;
- Aktet dhe memorandumet për ujditë gjyqësore të Gjykatave të huaja si dhe
- Vendimet e Gjykatave të huaja të arbitrazhit dhe ujditë e arritura para Gjykatave të tilla në raste të arbitrazhit, të cilat janë pranuar për përmbarim brenda territorit të Republikës së Kosovës;
- Vendimet dhe marrëveshjet përmbaruese të arbitrazhit në Republikën e Kosovës të shpallura të ekzekutueshme nga Gjykata;
- Kontrata për hipotekën e vërtetuar nga organi kompetent dhe regjistruar në regjistrin publik sipas ligjit;
- Vendimi gjyqësor i vërtetuar si urdhër përmbarues evropian; dokumenti tjetër që me ligj është quajtur dokument përmbarues.
Aktvendimi për përmbarimin, apo urdhri për përmbarim i dërgohet kreditorit dhe debitorit apo përfaqësuesve të tyre. Aktvendimi me të cilin hedhet poshtë apo refuzohet propozimi për përmbarim i dërgohet vetëm kreditorit. Përmbarimi kryhet në ditët në të cilat punohet dhe atë gjatë ditës në kohën midis orës 07 – 20.
Gjatë zbatimit të procedurës së përmbarimit, duhet kushtuar vëmendje mbrojtjes së dinjitetit të debitorit, dhe përmbarimi të jetë sa më pak i dëmshëm që është e mundshme për debitorët.
Materialet e publikuara janë e drejtë autoriale e Prima Consulting ©.