Padi dëmshpërblimi për të dënuarit apo arrestuarit pa faj

Të drejtë në kompensim dëmi për dënim të paarsyeshëm ka personi kundër të cilit është shqiptuar sanksioni penal në formë të prerë ose që është shpallur fajtor dhe është liruar nga dënimi por që më vonë, sipas mjetit të jashtëzakonshëm juridik, procedura e rishikuar është pushuar në formë të prerë ose me aktgjykim të formës së prerë është liruar nga akuza ose akuza është refuzuar, përveç në këto raste:

  • Kur pushimi i procedurës ose aktgjykimi me të cilin akuza është refuzuar ka ndodhur për arsye se në procedurën e re i dëmtuari është tërhequr nga propozimi si rezultat i marrëveshjes me të pandehurin;
  • Ose kur në procedurën e rishikimit me aktvendim është hedhur poshtë akuza për shkak të moskomptencës së gjykatës, e prokurori i shtetit e ka ndërmarrë ndjekjen në gjykatën kompetente.

E drejta për kompensim dëmi parashkruhet tri (3) vjet pas formës së prerë të aktgjykimit të shkallës së parë me të cilin i akuzuar është liruar nga akuza ose me të cilin është refuzuar akuza, apo nga forma e prerë e aktvendimit me të cilin hedhet aktakuza ose pushohet procedura.

E Drejta për kompensim parasheh edhe:

  • Padia për kompensim;
  • Kompensimi pas vdekjes së të dëmtuarit;
  • Personat që kanë të drejtë në kompensim për heqje lirie pa bazë; dhe
  • Realizimi i të drejtave tjera.

Po ashtu, Personit të cilit për shkak të dënimit të paarsyeshëm ose arrestimit të pabazë i ka pushuar marrëdhënia e punës ose sigurimi social sipas sistemit të mirëqenies sociale, ka të drejtë të përfitojë kohën e humbur të papunësisë dhe të sigurimit duke ia llogaritur kohën e humbur të papunësisë sikur të ishte i punësuar gjatë dënimit ose arrestimit të pabazë.

Në stazh llogaritet edhe koha që ka qenë pa punë për shkak të dënimit të paarsyeshëm ose arrestimit të pabazë, nëse humbja e vendit të punës nuk është shkaktuar me fajin e atij personi.

Materialet e publikuara janë e drejtë autoriale e Prima Consulting ©.