Prona dhe mbrojtja e saj, si një e drejtë fundamentale e njeriut, përfaqëson detyrimin e secilit vend që me legjislacion sipas standardeve ndërkombëtare të parasheh dhe mbrojë këtë të drejtë.
Pronësia fitohet me parashkrimin fitues, kur Personi me mirëbesim e ka njëzet (20) vjet në posedim të pandërprerë një paluajtshmëri, ose pjesë të saj, e fiton pronësinë në të.
Parashkrimi fitues pa titull si mënyrë e fitimit të pronësisë, në praktikën gjyqësore paraqitet si një çështje me rendësi, për arsye se në të kaluarën jeta juridike në përgjithësi, e veçanërisht e bartjes së pronësisë me titull juridik nuk ka qenë një marrëdhënie lehtësisht e formalizuar.
Arsyet e ndjekjes së praktikave joformale të transferimit të pronësisë kanë qenë të natyrave të ndryshme sikur:
- Pengesa burokratike/administrative për qarkullimin e pronësisë në periudha të caktuara;
- Pengesa për bartjen e pronësisë në mes të personave të nacionaliteteve të ndryshme;
- Mungesa e shqyrtimit të trashëgimisë;
- E drejta zakonore, etj.
Fitimi i Pronësisë me parashkrim fitues, mund të bëhet nëse plotësohen në mënyrë kumulative disa kushte ligjore:
- Sendi duhet të jetë i paluajtshëm;
- Posedimi i sendit me mirëbesim; dhe
- Të kaloj koha e caktuar me ligj.
Në Kosovë është e zbatueshme drejtpërdrejtë Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore dhe Protokollet e saj. Kështu që, nga përmbajtja e të cilave rrjedh domosdoshmëria e barazimit të pronës, sikurse prona shoqërore ashtu edhe private, sepse Konventa në kuptimin e mbrojtjes e trajton pronën në mënyrë unike pavarësisht llojit të saj. Sepse, statusi i veçantë i pronës shoqërore në kuptimin e mbrojtjes dhe cilësive të tjera ka qenë karakteristikë e shoqërive komuniste socialiste, ndërsa në shoqërinë demokratike prona është e barabartë pavarësisht llojit.
Në vendin tonë prona gëzon mbrojtje edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Kushtetuta në nenin 46, paragrafin 1, përcakton se: “E drejta e pronës është e garantuar”, ndërsa në paragrafin 3 të nenit të njëjtë përcaktohet se: “Askush nuk mund të privohet në mënyrë arbitrare nga prona.
Një nga të drejtat pronësore me të cilat realizohet pronësia, janë edhe:
- Pronari mund të kërkojë kthimin e sendit të caktuar prej secilit i cili nuk ka të drejtë posedimi;
- Posedimi i sendit me mirëbesim;
- Vërtetim i të drejtës së pronësisë dhe dorëzim i paluajtshmërisë në posedim;
- Zbrazja dhe dorëzimi i lokalit afarist;
- Dorëzimi i paluajtshmërisë në posedim;
- Lirim dhe dorëzim i pronës;
- Lirim i banesave nga njerëzit dhe sendet;
- Dorëzim i paluajtshmërisë dhe vërtetimi i mbajtjes, shfrytëzimit dhe posedimit te kundërligjshëm;
- Dorëzim i paluajtshmërisë dhe vërtetimi i bashkëpronësisë në bazë të ndërtimit;
- Dorëzim i banesës dhe lirimi nga njerëzit dhe sendet.
Materialet e publikuara janë e drejtë autoriale e Prima Consulting ©.