Padi në Arbitrazh

Arbitrazhi është alternativë e shpejtë dhe efikase në zgjidhjen e kontesteve biznesore duke i anashkaluar kështu procedurat burokratike, përmes:

  • Zgjidhjen alternative të mosmarrëveshjeve midis personave juridik;
  • Zgjidhjen jashtëgjyqësore, të shpejt, të lehtë dhe me kosto të ulët të kontesteve ekonomike;
  • Nxjerrjen e vendimeve nga arbitri me kualifikime të larta profesionale;
  • Udhëzim në përpilimin e klauzolave të arbitrazhit;
  • Konsulencë lidhur me: fushëveprimin e arbitrazhit, marrëveshjen e arbitrazhit, paditë, rregullat e përgjitshme, provat, seanca dhe përfundimi;
  • Mundësi për arbitrazh të përshpejtuar (marrjen e vendimit nga një arbitër i vetëm më pëlqimin e të dyja palëve të përfshira në kontest); dhe
  • Ndihmë në njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve të tribunaleve të huaja ose të shteteve të huaja.

Tribunali i Përhershëm i Abritrazhit (“TPA”), është themeluar në vitin 2011, i cili paraqet një institucion të ristrukturuar, i cili ka evoluar nga gjykata e arbitrazhit pranë Odës Ekonomike të Kosovës(“OEK”). Legjislacioni në fuqi, përkatësisht Ligji Nr. 2004/7, “Për Odën Ekonomike të Kosovës”, autorizon në mënyrë shprehimore OEK-un që të ofrojë shërbime e arbitrimit.

Baza Ligjore e themelimit të TPA, Sipas dispozitave të Ligjit Nr. 2004/7 “Për Odën Ekonomike të Kosovës”, OEK ka autorizim publik të themelojë arbitrazhin e përhershëm, i cili ka kompetencë të zgjidh mosmarrëveshjet ndërmjet anëtarëve të OEK dhe ndërmjetë anëtarëve dhe personave të tjerë juridik dhe fizik. Po ashtu, rregullat institucionale të Arbitrazhit janë hartuar në pajtim me dispozitat e Ligjit Nr.02/L-075 “Për Arbitrazhin.

Rregullat e Arbitrazhit, Rregullat në fuqi, të cilat kanë shfuqizuar rregullat paraprake të vitit 1999, janë miratuar më 24 Korrik të vitit 2011. Këto rregulla janë hartuar duke u bazuar në rregullat e mirënjohura të arbitrazheve institucionale dhe ad hoc. Këto rregulla të procedurës aplikohen me automatizëm nëse një marrëveshje e arbitrazhit e referon Kosovën si vend i arbitrazhit, përjashtimisht situatave kur palët me marrëveshje u janë referuar rregullave të tjera apo rregullave të institucioneve të tjera. Kapitulli i fundit i këtyre rregullave rregullon procedurën e përshpejtuar, procedurë e cila ndiqet për secilin kontest vlera e të cilit është nën 100,000.00 EUR.

Përparësit e Arbitrazhit, Arbitrazhi është një nga mënyrat alternative dhe efikase të zgjidhjes së kontesteve. Bizneset dhe jo vetëm, janë të interesuara në zgjedhjen e shpejtë dhe jo-burokratike të kontesteve.Arbitrazhi është procedurë e cila ditëve të tashme globalisht dominon në kontestet në mes të bizneseve. Kontestet më të komplikuara dhe me vlera më të mëdha zgjidhen nga tribunalet e arbitrazheve nëpër botë.Procedura e arbitrazhit është transparente dhe ofron mjete të kontrollit të procedurës nga palët. Procedura është e paraparë me rregullat e arbitrazhit, por kohëzgjatja, administrimi i provave vendoset në pajtim të dy palëve në kontest.Si përparësitë kryesore të arbitrazhit ndaj gjykatave shtetrore, konsiderohen: (i) fleksibiliteti; (ii) efikasiteti në kohë dhe shpenzime; (iii) plotëfuqishmëria e vendimit të arbitrazhit dhe (iv) konfidencialiteti i procedurës dhe vendimeve.

Fushëveprimi i Arbitrazhit, Në bazë të Ligjit Nr. 02/L-75 “Për Arbitrazhin”, të gjitha mosmarrëveshjet që kanë të bëjnë me kërkesa civile-juridike dhe ekonomike-juridike mund t’i nënshtrohen arbitrazhit, përveç nëse është e ndaluar me ligj. Në ndërlidhje me Ligjin Nr. 03/L-006 “Për Procedurës Kontestimore”, kontestet ku gjykatat shterore kanë kompetencë ekskluzive lëndore dhe territoriale janë: (i) kontestet nga marrëdhëniet familjare; (ii) kontestet nga sendet e paluajtshme; (iii) kontestet e falimentimit dhe (iv) kontestet lidhur me mjetet e fluturimit. Andaj, nuk paraqitet ndonjë pengesë ligjore që kontestet midis kompanive të sigurimeve dhe mbajtësëve të polisave të zgjidhen pranë abritrazhit dhe si pasojë e kësaj, kompanitë e sigurimeve mund të kontraktojnë arbitrazhin si forum për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve lidhur me raportet e tyre kontraktore dhe jashtë-kontraktore.

Marrëveshja e arbitrazhit,
Marrëveshja e arbitrazhit lidhet në formë të shkruar. Kushti konsiderohet se është përmbushur edhe nëse lidhja e marrëveshjes së arbitrazhit dokumentohet në formë të këmbimit të letrave, telefaksit, telegramit ose mënyrave të tjera të telekomunikimit ose komunikimit elektronik, në formë të konosmanit, nëse konosmani përmban shprehimisht një klauzolë të arbitrazhit, ose në rast të paraqitjes së padisë dhe të përgjigjes në padi, në kuadër të së cilës njëra palë pretendon se ekziston një marrëveshje arbitrazhi dhe pala tjetër nuk e konteston këtë. Nëse një konsumator është palë në marrëveshjen e arbitrazhit, marrëveshja e arbitrazhit konsiderohet të jetë lidhur në formën e shkruar vetëm nëse të gjitha palët në marrëveshjen e arbitrazhit e nënshkruajnë personalisht dokumentin që përmban klauzolën e arbitrazhit. Nënshkrimi i cekur në këtë paragraf mund të zëvendësohet me nënshkrimin elektronik në përputhje me legjislacionin përkatës për nënshkrimet elektronike. Mospërmbushja e kushteve të përcaktuara nuk merret parasysh nga tribunali i arbitrazhit, nëse palët e kanë inicuar procedurën e arbitrazhit.

Paditë para Gjykatave Gjykata, para së cilës është ngritur një padi lidhur me një çështje, e cila i nënshtrohet arbitrazhit, e hedh poshtë padinë, nëse i padituri në përgjigjen e tij ndaj padisë thirret në marrëveshjen e arbitrazhit, përveç nëse gjykata konstaton se marrëveshja e arbitrazhit është e pavlefshme ose që çështja kontestuese nuk mbulohet nga marrëveshja e arbitrazhit.

Materialet e publikuara janë e drejtë autoriale e Prima Consulting ©.