Ankimimi ndaj aktgjykimit në Procedurën Penale

Kundër aktgjykimit në procedurën penale, ankesë mund të paraqesin personat e autorizuar brenda pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga dita e dorëzimit të kopjes së aktgjykimit. Ankesa e personit të autorizuar e paraqitur brenda afatit të caktuar e pezullon ekzekutimin e aktgjykimit.

Ankesa kundër aktgjykimit duhet të përfshij:

  • Të dhënat mbi aktgjykimin i cili ankimohet;
  • Arsyet për kundërshtimin e aktgjykimit;
  • Propozimin për anulim të tërësishëm apo të pjesërishëm të aktgjykimit ose për ndryshim të tij; dhe
  • Nënshkrimin e ankuesit.

Shkelje esenciale e dispozitave të procedurës penale konsiderohet, nëse:

  • Përbërja e gjykatës nuk ka qenë në pajtim me ligjin ose kur në marrjen e aktgjykimit ka marrë pjesë gjyqtari i cili nuk ka qenë i pranishëm në shqyrtimin gjyqësor, ose kur me vendim të formës së prerë është përjashtuar nga gjykimi;
  • Në shqyrtim gjyqësor ka marrë pjesë gjyqtari i cili është dashur të përjashtohet; shqyrtimi gjyqësor është mbajtur pa personat, prania e të cilëve në shqyrtim gjyqësor kërkohet me ligj, ose kur të akuzuarit apo mbrojtësit, pavarësisht nga kërkesa e tij, i është mohuar përdorimi i gjuhës së vet në shqyrtim gjyqësor dhe përcjellja e zbatimit të shqyrtimit gjyqësor në gjuhën e tij; publiku është përjashtuar nga shqyrtimi gjyqësor në kundërshtim me ligjin;
  • Gjykata ka shkelur dispozitat e procedurës penale lidhur me çështjen nëse ekziston akuza e prokurorit të autorizuar, propozimi i të dëmtuarit ose leja e organit publik kompetent;
  • Aktgjykimin e ka marrë gjykata e cila nuk ka pasur kompetencë lëndore për gjykimin e çështjes; gjykata me aktgjykim nuk e ka gjykuar plotësisht lëndën e akuzës; aktgjykimi bazohet në provë të papranueshme;
  • I akuzuari i thirrur të deklarohet mbi fajësinë nuk e ka pranuar fajësinë për të gjitha pikat e akuzës ose ndonjë pikë të saj dhe është marrë në pyetje para prezentimit të provave;
  • Aktgjykimi ka tejkaluar akuzën;
  • Me aktgjykim është shkelur dispozita e Kodit Penal; ose
    Aktgjykimi nuk është përpiluar në pajtim me Kodin Penal dhe Kodin e Procedurë Penale.

Shkelje e ligjit penal ekziston kur:

  • Vepra për të cilën i akuzuari ndiqet nuk është vepër penale;
  • Ekzistojnë rrethana që përjashtojnë përgjegjësinë penale;
  • Ekzistojnë rrethana që përjashtojnë ndjekjen penale, e sidomos nëse ndjekja penale është parashkruar ose është përjashtuar për shkak të amnistisë apo faljes, ose më parë është gjykuar me aktgjykim të formës së prerë;
  • Lidhur me veprën e gjykuar penale është zbatuar ligji i cili nuk mund të zbatohet; në marrjen e vendimit për dënim, dënim alternativ, vërejtje gjyqësore ose në marrjen e vendimit për masën e trajtimit të detyrueshëm për rehabilitim apo për konfiskim të dobisë pasurore të fituar me vepër penale gjykata ka tejkaluar kompetencat ligjore; ose janë shkelur dispozitat mbi llogaritjen e paraburgimit dhe të dënimit të mbajtur.

Aktgjykimi mund të kundërshtohet edhe për shkak të vërtetimit të gabueshëm ose jo të plotë të gjendjes faktike. Vërtetimi i gabuar i gjendjes faktike ekziston kur gjykata ka vërtetuar gabimisht ndonjë fakt të rëndësishëm apo kur përmbajtja e dokumentit, procesverbalit mbi provat e shqyrtuara ose të incizimit teknik vënë në pikëpyetje saktësinë ose bazueshmërinë e vërtetimit të fakteve të rëndësishme. Vërtetimi jo i plotë i gjendjes faktike ekziston kur gjykata nuk ka vërtetuar ndonjë fakt të rëndësishme.

Reformatio in Peius dhe Beneficium Cohaesionis, parasheh poashtu se në qoftë se është paraqitur ankesë vetëm në dobi të të akuzuarit, aktgjykimi përsa i përket cilësimit juridik të veprës dhe sanksionit penal nuk mund të ndryshohet në dëm të tij.

Mjetet e jashtëzakonshme juridike: Pala mund të kërkojë rishikimin e procedurës penale brenda dy vjetësh nga aktgjykimi i formës së prerë ose aktvendimi i formës së prerë për pushimin e procedurës penale. Pala i paraqet kërkesën gjykatës themelore e cila ka nxjerr aktgjykimin e formës së prerë, e cila ia përcjell të gjitha kërkesat e vlefshme Gjykatës Supreme.

Pala mund të kërkojë zbutjen e jashtëzakonshme të dënimit në çdo kohë gjatë periudhës së mbajtjes së dënimit, por jo kur kanë mbetur edhe gjashtë (6) muaj deri në përfundim të dënimit me burgim.

Pala mund të kërkoj Rishikimi i procedurës penale, ku aktvendimi i formës së prerë ose aktgjykimi i formës së prerë, mund të rishikohet me kërkesën e personave të autorizuar vetëm në rastet dhe sipas kushteve të parapara me këtë Kod.

Pala mund të kërkoj edhe kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë, kundër vendimit gjyqësor të formës së prerë ose kundër procedurës gjyqësore e cila i ka paraprirë marrjes së vendimit të tillë, pas përfundimit të procedurës penale në formë të prerë, në rastet vijuese:

  • Në rast të shkeljes së ligjit penal;
  • Në rast të shkeljes esenciale të ligjit të procedurës penale, ose në rast të shkeljeve të tjera të dispozitave të procedurës penale kur shkeljet e tilla kanë ndikuar në ligjshmërinë e vendimit gjyqësor.

Materialet e publikuara janë e drejtë autoriale e Prima Consulting ©.