Kërkesë pranë Gjykatës Kushtetuese

Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.

Në kërkesën e ngritur pranë Gjykatës Kushtetuese, ndër të tjera, paraqiten informatat e mëposhtme:

  • Përshkrimin e fakteve për shkeljen e pretenduar;
  • Dispozitat konkrete të Kushtetutës për të cilat pretendohet se janë shkelur; dhe
  • Paraqitjen e provave mbi të cila mbështetet pretendimi për shkeljen.

Gjykata Kushtetuese pranon dhe procedon kërkesën e ngritur nëse konstaton se janë plotësuar të gjitha kushtet e përcaktuara ligjore:

  • Saktësimi i kërkesës, parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj;
  • Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht. Nëse kërkesa është e drejtuar kundër një ligji, atëherë afati fillon të ecë që nga dita kur ligji ka hyrë në fuqi;

Nëse parashtruesi pa fajin e tij nuk ka qenë në gjendje të parashtrojë kërkesën brenda afatit të përcaktuar, Gjykata Kushtetuese ka për detyrë që në bazë të kërkesës së parashtruesit ta kthejë atë në gjendjen e mëparshme. Parashtruesi ka për detyrë të paraqesë kërkesën për kthimin në gjendjen e mëparshme brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve që nga mënjanimi i pengesës dhe të arsyetojë kërkesën në fjalë. Kthimi në gjendjen e mëparshme nuk lejohet nëse ka kaluar një vit ose më shumë nga dita kur ka përfunduar afati i përcaktuar me këtë ligj.

Materialet e publikuara janë e drejtë autoriale e Prima Consulting ©.